blog banner

Be a Child again!

Gran Kanaria

 

Mbasi u ktheva nga vizita e fundit që pata në ishullin Gran Kanaria, u ula të shkruaj si githmonë impresionet e mia të asaj vizite. Padyshim që një veprim i tillë të bën të kujtosh edhe vizitat e mëparshme në vënde të tjera dhe shkrimet që kam pas shkruar rreth tyre. Ah sa trishtuese, të konstatosh vetëm mbas kaq kohe cfarë mungonte në shkrimet e mëparshme dhe kjo ishte mbi  dëshirat e njerëzve.  Shkrimet e mëhershme më ngjanin me një pesimizëm të thatë dhe një  fshikullim kritikash për situatat që gjeja kudo, gjë që m`u duk sa e frikshme edhe negative. Apo ndoshta ne shqiptarët kemi prirje për të sjellë më shumë negativitet sesa pozitivitet ndërmjet nesh. Këtë nuk di ta shpjegoj, por ajo që kuptova në Gran Kanaria ishte se njerëzit dukeshin të lumtur. Mundet kjo të ishte edhe rezultat i politikave të mira të vëndit, meqënëse rroga minimale e tyre ishte nga 400-600 euro, një shumë gati e perafërt me atë në Shqiperi. Ndërsa po ta krahasosh me Finlandën ku paga minimale per të jetuar shkon nga 1300-1500 euro, gjë që në fakt nuk tregon se Finlanda ka ekonomi më të mirë. Pse e them këtë. Vërtet që rroga në Finland është dyfish më e lartë sesa në Gran Kanaria, por edhe cmimi i ushqimeve ne Finland është dyfish më i shtrenjtë sesa atje, edhe cmimi i benxinës, edhe qeraja e banesave e kështu me radhë. Nga se atëherë vinte ky diell në fytyrat dhe shpirtin njerëzve të Gran Kanaria? 

Gran Kanaria gjeografikisht ndodhet pranë shkretëtirës së Saharasë, gjë që më bëri kurioze të di sesi ky ishull është populluar nga spanjollët. Për këtë arsye e pyeta një mike spanjolle vëndase ” a ka patur ab-origjinal vëndi, përpara se të zbarkonin spanjollët”. Ajo pohoi me kokë dhe tregoi se aborigjinalët e ishullit nuk egzistonin më, ose më mirë nuk i dihej a ishin vrarë komplet apo ishin larguar nga ishulli per të mbijetuar, ose-ose edhe mund të ishin shkrirë në mes të spanjollëve. Ky fenomen, nuk e di pse më kujtoi shqiptarët e Maqedonisë, të cilët për të mbijetuar gjetën mënyra të tjera, disa u  mbështetën në fenë islame ndërsa të tjerë u asimiluan duke u kthyer në ortodoks pa vazhduar të flasin gjuhën e tyre. Vetëm tani në shekullin e xxi me futjen e demokracisë, fenomeni i të drejtës për të qënë vetvetja, për të folur atë cfarë është dhe jo shtrembërime historie nga frikëra për egzistencë, i dha guximin edhe kryeministrit të Maqedonisë të sjellë publikisht një fakt rreth origjinës së vet shqiptare, që në rrethana të tjera shumë dekada më herët nuk do kishte guxuar. Kjo tregon se kohët po ndryshojnë dhe e nesërmja vjen, duam apo nuk duam ne. 

Duke vazhduar mendimin tek e drejta e të qënit vetvetja dhe ndryshe, këto dy element janë konceptet që dallonin tek banorët e Gran Kanarias. Isha duke ecur një mbrëmje në breg të detit me këmbët zbathur në rërë. Përkrah më shoqëronte një mike vëndase dhe bisedonim me entuziazëm për gjithcka ndryshe. Unë e dëgjoja me vëmendje dhe tek-tuk i bëja ndonjë pyetje akoma më të thellë për të nxjerrë sa më shumë të dhëna nga ai vënd. Dikur ajo u ndal dhe më pyeti ” ti ecën gjithmonë kaq shpejt?”. Ndala dhe e vështrova. 

”Po” – ju përgjegja dhe vazhdova ta pyes ” ju duket ecje e shpejt?” 

” Po, ecni shpejt dhe nëse ecni kaq shpejt, ti nuk shikon dot asgjë përreth. Ti mendon se je këtu, por në fakt nuk je këtu” – foli duke buzëqeshur. Atëherë fillova të ngadalësoj ecjen, gjë që më coi të vë re dy fenomene të reja. Frymëmarrja filloi të thellohet gjë që shkaktoi të më hapej goja shumë shpesh dhe tjetra ishte, se fillova të dëgjoj veten dhe cfarë flisja. ”Wooww..” – i buzëqesha duke i thënë ”Nuk e di pse po më hapet goja kaq shumë”. Hapja e gojës që ne mendojmë se na vjen nga lodhja apo kur na vjen gjumë, ka edhe një tjetër shpjegim. Sic duket duke ecur shpejt përdorim vetëm pjesën e sipërme të mushkrive dhe nuk i lëmë të përdoren komplet. Tani që ecja e ngadaltë aktivizoi edhe pjesë të tjera të mushkrive, truri filloi të furnizohet më tepër me oksigjen  dhe trupi u qetësua. Ditën tjetër nuk ndieja më dhimbje askund dhe hapja e gojës mbaroi. As vet nuk e  di përse gjithmonë kisha ecur shpejt. Rrjedha e jetës së furishme në Finlandë dhe natyra ime më kishin bërë vërtet të vrapoja në jetë apo të fluturoja pa hetuar qartë gjërat përreth meje dhe ajo që ishte më kryesorja kisha harruar që isha pjesë e këtij planeti e kësaj natyre. Dallgët e detit lagnin këmbët e mia tek ecja, dhe unë e ndieja tani lidhjen e kripës, ujit, këmbët dhe tokës. A jemi ne njerëzit specie të tokës, si zvarranikë që rrinë pranë saj si të kenë një lidhje magnetike, apo specie të ajrit. Vecse kjo e dyta sigurisht që do të dështonte, sepse për disa arsye ne na janë dhënë këmbët që të rrinë ngjitur me tokën dhe jo krahët. Por është fakt, që për disa arsye të vecanta, ne gjithmonë jemi zgjatur në drejtim nga qielli, sikur edhe atje kemi një lidhje misterioze e që kurrë nuk rreshtëm së kërkuari. 

 ”Lere Finlandën dhe punën, nëse të streson aq shumë. Eja në Gran Kanaria, mesiguri këtu do të gjeje punë menjëherë me psofesionin që ke dhe me natyrën tënde diellore”- më propozoi spanjollja. E pash duke buzëqeshur dhe mendova se nuk ishte ide e keqe, por gjithmonë për të marrë vendime të tilla të rëndësishme ne shqiptarëve na dalin përpara gjithmonë ato ”sikur:at”. Eh sikur të vinin edhe fëmijët e të mos i lija vetëm diku nëpër botë, eh sikur, sikur e kështu sikur:et nuk mbarojnë. Sikur të ma kishte lexuar mëndjen spanjollja më thotë ” Be a child again”. Unë u befasova nga ky sugjerim dhe duke pyetur ”What!”. Hmmm. ” Të kujtohet kur ishe e vogël, kur luaje pa i vënë veshin se c`mund të thoshin të tjerët. Atëherë ti ishe me siguri e lumtur. Bëju prap fëmijë. Gjeje prap lumturinë duke thyer disa rregulla apo tabu shoqërore që të pengojnë ta gjesh atë.” ”Ohhhh, cfarë filozofi e mrekullueshme për jetën” mendova. Por të kthehem në realitet, a bëhet kjo qofsha në Finland apo vëndlindje Shqiperi? Më kujtohet përpara 25 viteve kur shkova herën e parë në Shqiperi mbasi kisha emigruar, ju buzëqeshja të gjithëve. Nga malli por edhe sepse në Finland më ishte kthyer buzëqeshja. ”Përse i mban dhëmbët gjithë kohën përjashta”- më pat tërhequr vërejtjen Mami. Sic dukej një njeri që buzëqeshte në atë kohë dukej negativ, apo i dobët, apo pa karakter se me karakter ishin zërat e fortë, qëndrimet e forta dhe fytyrat e akullta serioze. Tani kjo po më thoshte të kthehesha përsëri në fëmi sa herë ndihesha e lodhur dhe sa herë motivi për jetën disi ishte larguar. Po, po të bëheshe përsëri fëmi ishte vërtet një metod për të gjetur motivin e lumturisë në jetë. Dhe në mbrëmje për fatin t`im të mirë dhe si për të më treguar me fakte, sesi kthimi në vogëli ta zbukuron jetën në moshë madhore u zhvilluan karnevalet. Mrekulli. Nga më i vogli deri tek gjyshërit parakalonin me veshjet e fantazisë së c`do njërit dhe duke kërcyer. Ne kemi patur në Shqiperi festën e 1 Majit ku të rinjtë shkonin për piknike apo familjarët dilnin me rrobe të reja, por jo kaq të gëzuar, jo me një liri të tillë. Aty c`do gjë ishte vetvetja dhe askush nuk gjykonte pse fantazia e dikujt mund të ishte jashtë ”normave” shoqërore, që në fund të fundit ishin vetëm norma e që ky vënd tregonte se normat janë fenomene që mund të ndryshojnë. Dje ishin rregulla të tjera, sot të tjera e nesër kushedi cfare. Atëherë, në këtë këndvështrim përse trembemi ne të bëhemi prap rregullatorët e gjetjes së lumturisë sonë? 

Dhe kështu ato ditë pushimesh dimërore në nxehtësinë e Gran Kanarias në Las- Palmas, me temperature +28° në muajin shkurt, me rërë të trashë e pak të nxirë prej gurëve vullkanikë, me gurë të zinj qymyri në breg në vend të guackave, me palma shumëllojëshe e që qetheshin të gjitha në të njëjtin stil gjatë sezonit dimëror, me birrën e freskët vëndase tropial, me sallatat tropikale bërë me frutat e vëndit si: papaja, ananasi, avokado, mango, me kafen amerikano kafeneve me kamerierë aq të dashur e të sjellshëm, me njerëz që jetonin dhe jo vetëm me idenë e të qënit në këtë jetë, që e shfaqnin lirshëm atë cfarë ishte në zemrën e tyre, me të gjitha këto i perfundova pushimet. Fundja, jeta është një koleksion momentesh dhe të mbledhësh momente të mira qoftë nga fëmijëria një kthim mbrapa, është gjithmonë një arsye më shumë për të jetuar.

… ky breg me këta gurë të zinj vullkanik, 

pa guacka, as perla, as aromë jodi 

ky breg që nga momenti që e preka më thotë përherë Eja, mos ik, 

eja, eja si një pikë loti 

… pastaj shkriu me ujin e atlantit

shkriu me perëndimin e diellit mbi cati, 

ky breg, pa merimanga,  rrjeta, pa barrikada mendimesh 

më thotë eja, bëhu femi, përsëri …



Scroll Up