blog banner

E kaluara, janë shinat e shtruar edhe për të ardhmen!

Në një debat të facebook:ut me një sociolog shqiptar pata një koment prej tij: ” krahasimet mes Shqiperise dhe vendeve skandinave nuk na cojne ndokund”. Mbase, por unë nuk mendoj ashtu. Për të projektuar një plan mbi të ardhmen, është më mirë të bëhen krahasime me vende sa më të zhvilluara, me qëllim që edhe po nuk arritëm diellin si i tyre, të paktën të biem nëpër yje. Fundja të njohësh veten ku je, duhet ta krahasosh atë me dikë. Krahasimet vetëm me vëndet që kanë probleme ekonomike sot dhe që me mish e me shpirt po mundohen të shpëtojnë sistemin e tyre kapitalist, qoftë edhe duke zgjedhur president si Donald Trump, këtu unë do të thosha, nuk na con askund.

Ka kohë që në Shqipëri kërkohet një sistem tjetër nga ky që po ndërtohet sot dhe kam një lloj intuite që më thotë, se as demokratët vet nuk janë të qartë se c`po kërkojnë, lëre më pastaj biznesmenët e vegjël. Përmenda biznesmenët sepse vet sistemi kapitalist është i ndërtuar në tregun e lirë, pra bizneset e të gjitha shtresave. Megjithatë, mendimi i filozofisë kapitaliste, se “suksesi i individit m`varet nga vet ai”- në të vërtet- ”it sucks”. Vetëm ai individ që i ka përjetuar dhe parë vlerën e sistemeve të ndryshme është në gjëndje të sjellë konkretisht fakte nga e vërteta e tyre. Pêr këtë po marr si shembull veten, sepse unë i kam jetuar sistemin monist të Shqipërisë dhe sistemin social-demokrat të Finlandës. Ndihem e kënaqur kur mendoj, se taksat që kam paguar këtij vëndi në 27 vite, nuk kanë shkuar kot. Studimet e mia i bëra në mbështetje financiare të këtij shteti, po ashtu edukimi dhe shkollimi i fëmijëve, pjesërisht. Shëndetësia po ashtu, duke qënë e siguruar nga puna. Por edhe nëse do të kem nevojë dikur kur jam në pension, shërbimi shëndetësor dhe përkujdesi që nga analizat e deri tek verifikimi i diagnozës, ështe i siguruar dhe atëherë vërtet i thua vetes: ja ka vlejtur të pagoja taksat. Kjo mesiguri që ngjason pak me sistemin ish-monist apo jo? Sikur sistemi monist të mos kishte përlyer imazhin e vet me gjakderdhjen e të persekutuarve, sot do të përkrahej edhe nga vet demokratët si sistem. Dhe kjo është fatkeqësia më e madhe, zhvillimi ekonomik i vëndit ngatërrohet me zemërimin e njerëzve që janë traumatizuar nga e kaluara dhe që akoma nuk e ndiejnë veten të barabartë në shoqëri. 

Po cili do të ishte sistemi që do të mund të rriste ekonominë dhe mirëqënien shoqerore atëherë? Cfarë lloj rregullash duhen të ndërtohen? Kuptohet që kapitalizmi në vetvete është i ndërtuar mbi tregun e lirë, por që ky nuk funksionon dot pa influencën e rregullave të lojës tregtare që vendos qeveria. Sipas kësaj, na del se celësi i suksesit janë rregullat që qeveria vendos për interes të qytetarëve të vet. Amerika p.sh. sot është në një krizë ekonomike, saqë shumë ekonomist janë kthyer mbrapa në vitet 70:të, dhe në kohën kur Bill Klinton ishte në fuqi, për të studjuar cfarë rregulllash ishin ndryshe ateherë. Ishte koha kur marketi i lirë kapitalist amerikan gjendej në majat e saj. Sipas statistikave, sot 20-vjecarët e kanë shumë më të vështirë për ta nisur jetën në Amerikë, sesa 20-vjecarët e para 20 apo 30 vjetëve. Po të rinjtë shqiptarë, a e kanë më të lehtë apo më të vështirë sot fillimin e jetës së tyre në krahasim me 20 apo 30 vite më parë?

Ndaj po vazhdoj mendimin tek rregullat sepse ato janë rregullatorët lëvizës së ndryshimeve ekonomike shoqërore. Në një shtet demokrat, rregullat ku qeveria fokusohet përfshijnë së pari: pronën, monopolin, kontratat, falimentimet dhe zbatimin e ligjit. Ju deshën disa dekada që qeveria shqiptare të gjej përsëri veten dhe të vendosi rregulla të reja në shërbim të pronave të qytetarëve, mohuar nga sistemi monist dhe për të cilat  luftohet  akoma si nga ana juridike ashtu edhe morale brënda dhe jasht trojeve amë, sic janë ato të Camërisë. Po ashtu edhe për faktorin: falimentim, që është një faktor prezent në botën e tregut të lirë. Për një student falimentimi do të thotë se ai duhet të ndërpresë studimet, apo për biznesin e mesëm do të ishte fatal deri në papunësi. Nje ndikim në falimentime  ka politika dhe qeveria me rregullat e reja që vendos, pra duam apo nuk duam t`a shohim të vërtetën në sy, qeveria gjithmonë është ajo që bën rregullat në lojën tregtare dhe influencon në standartin e ekonomisë.  Këto rregulla nuk vijnë nga ajri dhe sic e kemi parë edhe kur në krye ishte partia demokratike, këto rregulla mund të ndryshojnë me politikën e tyre. 

Cfarë rregulla duhen ndryshuar një qeverie pa njerëz te lumtur dhe kur ato nuk rrisin standartin ekonomik? Një shkak pse Amerika është mbajtur si vëndi më brilant për rritje ekonomie ishte hapësira që qytetarët amerikanë kanë gjetur nga rregullat e politikës së vet, duke aktivizuar fantazinë e bizneseve dhe ato t`i kthejë në produkte tregu. Konkurenca për gjetje brilante krijonte mundësinë që ai më i zoti/pëlqyeri fitonte mundësi dhe hapësirë për t`i sjellë shoqërisë dicka që ajo mund të përfitonte. Kjo hapësirë lirie nga ana tjetër pati edhe një ndikim tjetër, ri-aktivizoi edhe mëndjet e atyre që kishin humbur shpresat dhe kjo pjesëmarrje e gjerë në vetvete bën që shoqëria të jetojë në progres dhe jo regres. 

Këtë model liberalizmi, europa e huazoi menjëherë dhe vëndet skandinave kryesisht e futën si një filtër në sistemin e tyre social i cili ishte në ndërtim e sipër. Ka një arsye po ashtu pse vëndet skandinave pranuan degë të idesë së të majtëve, sepse sic e dimë asgjë nuk ndodh kot. E kaluara e shoqërive, janë shinat e shtruar edhe për të ardhmen. Të majtët finlandezë ( dhe këtu po marr shëmbull Finlandën, sepse atë e njoh më mirë), këmbëngulën për të rrënjosur idetë marksiste, sepse Marksin këta e njihnin më tepër si një ekonomist dhe shkencëtar i shkencave shoqërore i cili besonte se grumbullimi i kapitalit sillte mos-ekuilibër për shoqërinë. Pra populli finlandez është popull që vlerëson barazinë, drejtësinë dhe liberalizmin. Një faktor tjetër, që mendoj ka ndikim në zgjedhjen e tyre ka edhe feja, lutherilante. Feja e Lutherit mbështetet në moralizmin e Kantit, dhe po ta shohësh sistemi social-demokrat i pëmbledh të gjitha këto kritere që i përshtatet edhe mentalitetit të popullit finlandez. 

Po për popullin shqiptar, a është rastësi që sot janë nën një sistem të ideologjisë së të majtëve? Sic e përmenda më sipër, unë nuk besoj në rastësi. Në vitin 2012 në një artikull pata shkruar për rrjedhën pse zgjedhim pikërisht disa shtigje për të ardhmen. Ne kërkojmë demokracinë, por më tepër sesa një sistem kapitalist mendoj kërkojmë dhe luftohet për lirinë shpirtërore. Por nga ana tjetër, njohim edhe jetën nën disiplinë falë sistemit monist, ku femra ndihej e sigurt të ecte edhe në orën  24.00 të natës, ku të moshuarit nuk i përqeshte njeri dhe shtëpitë e pleqve filluan të frekuentoheshin si pjesë e civilizimit dhe jo braktisjes nga familja. Njeriu ka frikë nga e panjohura dhe gjithmonë do të zgjedhi ato shtigje ku e ka ndier veten mirë. Pra sot kërkohet një sistem që i përmbush të gjitha këto, lirinë shpirtërore, lirinë e tregut, disiplina, ngritja morale, dhe mbi të gjitha që nxit mirëqënien e shoqërisë. 

 

Bëra disa krahasime këtu me vëndet skandinave jo pa qëllim, sepse unë mendoj, që ne si popull nuk duhet të kënaqemi me pak. Nuk duhet të kemi frikë të krahasojmë veten me sisteme të popujve me standart jetese më të lartë në botë. Në fund të fundit, askush nuk i njeh më mirë se ne si sisteme, sepse ne i kemi eksperimentuar gati të gjitha dhe e dimë mirë cilat rregulla ngrenë apo e ulin ekonominë dhe mirëqënien e vëndit tonë. Eksperienca është pasuri që duhet shfrytëzuar. 



Scroll Up