blog banner

Mbresat nga vizita në Shqiperi ” Qershor, 2016)

IMG_0584

Atdheu im i dashur, Ne emigrantët nuk e kemi fatin të të shohim rritjes tënde 365 ditë në vit, dhe kur këto 365 ditë i shumon me 25 vite, oh sa pak të ndiejmë brënda vetes. Ndoshta kjo është arsyeja që ka kohë e nuk të njoh më. Ose më mirë, ka kohë që unë jam bërë e huaj për Ty. Nuk ti njoh më emrat e rinj të rrugëve, as zbukurimet e ndërtimet moderne, as gjelbërimet. Nuk ti njoh më fëmijët e tu, që rriten me një bukuri të mahnitshme e vishen me aq shije. As Ti mua rritjen e përditshme në mua. Gjithmonë e kam ditur që rrokullisjet e shkembinjve të tu shekullor do të ndaleshin dikur, dhe ti do ta ngrije kokën edhe më e sigurt. Dhe kujt duhet ti jemi mirënjohës për këtë?

Atdheu im i dashur, tashma që je ndalur dëgjoje zërin t`im, dëgjoje c`do këshillë apo ankesë që t`a bëj, sepse askush nuk të do më shumë sesa unë apo ne që u rritëm larg teje. Dëgjoje c`do gjë që të them; e vërtetë apo kontradiktore, dhe ajo që unë dua të them është se ” shumë gjëra aty nuk janë mirë”. Më duhet të hesht, të servilosem, të bëj budallin që të arrij qoftë një të drejtë apo një punë. Nuk besoj se kjo është ajo që ti kërkon për popullin tënd të vuajtur, për të cilin u deshën kaq mund e përmbysje sistemesh! Unë personalisht vij për të parë një herë në dy apo tre vjet, dhe për mua nuk është problem sepse këtu ku jetoj, mijëra kilometra larg teje – cdo gjë rregullohet. Frika ime nuk është për padrejtësitë që përjetoj unë kur vij aty, por për ata që jetojnë aty 365 ditë, me të njëjtat ndjenja pasigurie dhe cenim lirie të fjalës. Dëgjoji ankesat që të bëjnë vëndi im dhe mos i shiko si shigjeta për të vrarë ty. Ata janë korierët e lajmit të mirë. Të kujtohen vitet e rëndë të realismit socialist, kur këta korierë u ngritën, u bashkuan dhe përmbysëm totalitarismin që njerëzit e tu të merrnin frymë të lire dhe ta thoshin mendimin të lirë. Të kujtohen vitet e tranzicionit, këta korierë u bashkuan dhe u ngritën kundër anarshisë së krijuar që populi te mos jetonte në kaos ku ata që përfitonin ishin vetëm të korruptuarit. Të kujtohet, nëntori 2013 kur këta korrierë u ngritën kundër armëve kimike dhe e mbrojtën ambientin dhe tokën tënde të begatë? Për të gjitha këto vendime të mira në dobi të popullit tënd Atdheu im, i jemi mirënjohës këtyre korrierëve që ta thonë në sy cështë e keqe për Ty Atdheu im, nuk është meritë e atyre që janë në pushtet e që bëjnë vendime. Këta korrierë janë e nesërmja, sepse fjala e sotme e tyre të tregon ku je duke shkuar nesër. Dëgjoji, pa ndonjë matematië të madhe, pa paragjykime. Dëgjoji pse është e rëndësishme që c`do profesion apo institucion të ketë këto sindikata korrierësh, puna e të cilëve nuk është indiferentizmi.

Ti vet, nuk mund ti dish të gjitha sepse Ti përbëhesh prej nesh, dhe asnjë njeri në bote nuk është i tejdijshëm dhe sidomos ata që ke në pushtet. Asnjë nuk mund ta di cfarë do të preki nesër, përvec asaj që prekim sot…ndaj sot në këtë cirkëll jemi të gjithë sëbashku, një rruge të panjohur, e cila ka nevojë sëpari për vesh të mirë, kompromis dhe mirëkuptim.

Bëmi duart e mia
c`do gjë që ti prek
të respektojnë
Bëji veshët më të mprehtë
që zërin tënd
ta dëgjojmë.

Si një emigrante që koha dashur padashur e bëri të ndihet e huaj në vëndin e vet, më duhet të falenderoj të gjithë ata intelektualë, shkrimtarë, poet të cilët koha e vështirë nuk ua deformoi karakteret dhe as principet, përkundrazi më bënë edhe mua të ndihem krenare me Ta dhe të marr me vete kujtimet më të mira. Vetëm në bazë të mbështetjes së tyre morale projekti im kulturor-letrar pati sukses. Mirënjohje dhe Falenderimet e mia personale i shkojnë të mrekullueshmes Kozeta Zhavalani, Kolec Traboini, Duro Mustafai, Natasha Lako, Flutura Acka, Ana Kove, Nasho Jorgaqi, Mihallaq Qilleri, Behar Gjoka, Diana Culi, Xhelal Luca, Perikli Shuli dhe plot e plot të tjerëve që më kontaktuan me telefona, takime, biseda dhe në pritjen e poetëve finlandez me të cilën treguan edhe traditën mijëra vjecare shqiptare të mikpritjes. Falë shpirtit Tuaj mikpritës, finlandezët morën me vete kujtime të mrekullueshme të cilat i shfaqën në vëndin e tyre nordik, të ftohtë por ashtu si populli ynë bujar.

Dita e I

… dhe si c`do gjë tjetër, edhe kultura ku jetojmë po ndryshon.
Po, po- po ndryshon dhe me hapa galope
edhe pse unë jam lutur me forcë: të mos ngrihemi aq lart,
aq shpejt,
se rrëzohemi si Egjypti, Roma apo Hitleri.
… edhe pse jam lutur që liderat tanë të kenë frikë,
sepse pa pasur frikë nuk do ta duan popullin,
sepse pa pasur frikë mendojnë se janë mbi të tjerët,
dhe sillen sikur të jenë mbi-natyror.
… edhe pse jam lutur ta shikojmë varfërinë drejt e në sy,
pikërisht në zgavrat e thara e të vyshkura
aty ku ndjesia nuk kuptohet më si ndjesi
as dashuri,
…edhe pse jam lutur,
që tokës tonë pjellore, ujërat të rrjedhin si det
e të korrat të falenderojnë këtë tokë
që buzëqesh nga gjelbërimi e pastërtia,

Po, po- kultura është një fenomen i ndryshueshëm,
ashtu sic ështe edhe varfëria,
sic është e gjithë Europa,
e cila vjen brënda nesh me traditat e saj
në sjellje, mendime dhe formë…
ashtu sic ne futemi brënda saj- për t`u bërë pjesë e saj
derisa dikur, të mos dallohemi më
ketij planeti.
A nuk ishte kjo ajo që ëndërronim?

… ndërsa unë, do të vazhdoj të lutem,
por asnjeherë per atë që ti mendon.

Dita e II

…e kam lënë veten të lëvizë me erën,
të lexoj fytyrat e miqve të vjetër e të rinj
t`u lexoj shpirtin e vendosur dhe të lëkundur
ja aty, brënda një kafeje,
brënda një kriike birre,
mas formën e gjykimeve
paragjykimeve,
forcën që tërheq veprimet e tyre.

: si mund t`a largoj këtë mur që kanë ngritur
me njeri-tjetrin?
këtë murë arrogance që pengon të shihen mrekullitë?
:si mund t`a largoj këtë frikë, që i bën të mos ndiejnë më asgjë,
të mos vlerësojnë më asgjë,
të mos duan ta kuptojnë ndjesinë që të jep rrezja kur përkedhel petalet,
apo kur shirat lajnë drithërat arave,

….e kam lënë veten te lëviz me erën,
për të parë c`do të thotë
të ndalësh së marri frymë?

Dita III

… këtë ditë, kap kalendarin të shoh programin e javës,
kam kohë për ti bërë të gjitha, nëse eci sipas saj…
nëse eci sipas saj…
nëse,
Por Aty ( në këtë ambient) … kjo nuk varet nga unë.
… do të doja ta kapja per mënge atë që është në anën tjetër të telefonit,
e ti hapja kalendarin,
të shënoja kohën, ne mënyrë që të mos shkoj tek ai/ajo katër herë
dhe te mos e gjej aty,
do te doja ti llogarisja sesa shtrenjt kjo sorollatje është për mua dhe per atë,
se benxina në Shqiperi është më shtrenjt se në cdo vënd tjetër europian,
ti tregoja se një takim i vogël, do të më shpetonte shumë ditë sorollatje,
dhe ai do të koncentrohej tek punët e veta,
duke mos iu varur qafës si mëlci vici.
radha e të cilëve…nuk mbaron.
… nëse eci sipas proframit,
do të bëja shumë,
sepse shumë gjëra mund ti bëj përsëri…
përvec KOHËS,
që e lodhim,
konsumojmë,
si një konsumator i keq.

Dita IV

… sheshit Skënderbe afrohet një djalë 11 – vjec,
ai zgjat dorën,
ndersa unë i vështroj sytë,
ai më kërkon ndihmë për nënën
ndërsa unë e pyes: ku e ke babain?
ai më vështron në sy –
ndërsa unë i vendos dorën tek balli
i cili pervëlon si betoni i kësaj rruge,
Do të doja që temperatura e tij
të digjte lëkurën time,
aq sa ta ndieja dhimbjen e tij,
trupit dhe shpirtit,
Nuk di si ta ndihmoj,
vështroj përreth për të parë
sa fëmije me temperature gjenden asaj rruge,
sa prej tyre kanë zgjatur duart,
dhe sa duar të huaja i shtyjne ato,
pa ua hedhur vështrimin,
dhe ndiej lëkurën të më djegi edhe më shumë…
… ndërsa këto monedha të vogla nuk janë asgjë,
ato nuk ia shërojnë dot nënën e vetmuar,
as ia ulin temperaturën,
edhe pse ai më vështron me mirënjohje,
dhe largohet dhimbjes së tij,

ndërsa unë akoma e dëgjoj ritmin e frymëmarrjes së tij të c`rregullt.

Me poetët finlandez; J.K.Ihalainen dhe Kirsti Kuuronen në promovim të antologjisë finandeze në Tiranë, 2016. Me të madhin Dritëro Agolli Shoqëri me mikesha mbas promovimit. Me shkrimtaret dhe miket e mia; Flutura Acka dhe Anna Kove. Tek pazari i Krujës.



Scroll Up